SIMS Marketing Agency

Prishtinë, 13 dhjetor 2016 – Fondi i Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilit janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, do të mbajë logon zyrtare të përgatitur nga dizajneri grafik nga Kosova, Shpat Komoni. 

Ky i fundit ka fituar çmimin kryesor në garën e Fondit të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Fund) për logon zyrtare të kësaj organizate, për të cilin fond Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka ndarë 30 mijë euro.

Ndërkohë, edhe çmimi i tretë është fituar nga dizajneri grafik, Gent Shala. Në garën rajonale kanë janë paraqitur 18 propozime, ku dy nga tre vendet e para i kanë zënë dizajnerët nga Kosova. Vendi i dytë i ka takuar një dizajneri nga Banja Lluka e Bosnje e Hercegovinës.

Dy fituesit kosovarë të kësaj gare janë pritur nga drejtori për Çështje Rajonale në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Fitim Gllareva, i cili e ka vlerësuar lart punën e kreatorëve nga Kosova. Duke i falënderuar për punën, Gllareva ka thënë se çmimet e fituara i kanë bërë nder edhe Kosovës.

Për dizajnerët Komoni e Shala, pjesëmarrja dhe fitimi i këtyre çmimeve është një nder dhe privilegj edhe për punën e tyre, por edhe për vendin. Shpat Komoni ndihet krenar që nga puna e tij ka përfituar edhe vendi. “Kam nderin dhe kënaqësinë që ky fond ka për t’u përfaqësuar përmes logos që e kam krijuar unë, ku kam zënë vendin e parë. I falënderoj shtetet që e kanë përzgjedhur dhe më kanë besuar këtë identitet dhe krijim që e kam bërë për ta. Jam krenar që është zgjedhur nga Kosova”, ka thënë Shpat Komoni, fituesi i çmimit të parë.

Ndërkohë, Gent Shala e vlerëson edhe bashkëpunimin me MPJ dhe Fondin e Ballkanit Perëndimor. “Kjo eksperiencë ka qenë një pjesë shumë e bukur e krejt punës që e bëjmë ne, edhe e bashkëpunimit me MPJ-në dhe Fondin e Ballkanit Perëndimor. Jemi shumë krenarë që kemi marrë pjesë dhe jemi fitues si kosovarë që është një lajm shumë i mirë edhe për komunitetin tonë”, ka thënë Shala.

Fondi për Ballkanin ka për qëllim promovimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit kulturor; promovimin dhe zhvillimin e shkëmbimeve akademike, hulumtimit dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit në mes të palëve nënshkruese; promovimin dhe zhvillimin e shkëmbimeve në mes të rinjve, si dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm mes palëve kontraktuese.

Fondi i Ballkanit Perëndimor ka selinë në Tiranë dhe se Kosova është anëtare e barabartë në të gjitha nivelet në këtë organizatë ndërkombëtare dhe rajonale.